Përplasje për kishën në qendër të Shkupit

Përplasje për kishën në qendër të Shkupit
Një grup të rinjsh nuk janë lejuar në qendër të qytetit të Shkupit për të protestuar kundër ndërtimit të një kishe në sheshin e qytetit.
E shtunë, 28 Mars 2009 17:43
Një grup të rinjsh nuk janë lejuar në qendër të qytetit të Shkupit për të protestuar kundër ndërtimit të një kishe në sheshin e qytetit. Ata janë sulmuar fizikisht dhe me fjalë ofenduese nga qytetarë që e kanë quajtur veten "të krishterë". Protesuesit kundër ndërtimit të kishës janë etiketuar edhe si "shqiptarë", për shkak të qëndrimeve të tyre se kisha nuk duhet të ndërtohet në sheshin e qytetit. Pas incidentit ku pati disa të lënduar lehtë dhe ku ndërhyri policia, u përfshi edhe politika. Nga opozita ngjarjen e quajtën "fashizëm", u konsiderua përgjegjës kryeministri, Nikolla Gruevski dhe u kërkua menjëherë dorëheqja e ministres së brendshme, Gordana Jankullovska. Kryeministri i hodhi poshtë akuzat se partia e tij, VMRO-DPMNE, qëndron pas dhunës së ushtruar ndaj atyre që janë kundër ndërtimit të kishës, duke thënë se protestat janë të inicuara nga opozita.
Ndërtimi i objektit fetar orthodoks ishte ide e vetë kryeministrit Gruevski. Kisha është planifikuar të ndërtohet mbi atë që konsiderohet vendi ku ka qënë shtëpia e lindjes së Nënë Terezës. Në opinion ka një debat të gjërë për këtë iniciativë, ndërkohë kanë reaguar edhe grupe civile shqiptare. Kryetari i Lëvizjes Qytetare "Zgjohu", Artan Grubi e shprehu kështu shqetësimin e tij për incidentin: "Ajo që ndodhi në sheshin e Shkupit është jashtëzakonisht shqetësuese. Nuk dua as të mendoj për pasojat që do të kishin ndodhur nëse protestuesit ishin shqiptarë", tha Grubi. Incidenti në qendër të Shkupit ndodh në kohën më të nxehtë të fushatës për zgjedhjet presidenciale dhe lokale, para votimit në raundin e dytë, të djelën më 5 prill. /bbc/